Gjykata e Elbasanit ka ndryshuar masën e sigurisë për dy mjekët që u arrestuan pas vdekjes së 25-vjeçares Rexhina Debrova dy ditë më parë pas lindjes. Pas ngjarjes u arrestua mjeku kardiolog, Mehmet Ibaj dhe reanimatori Nikollaq Thana, ndërsa sot janë liruar nga qelia, pasi gjykata ndryshoi masën e sigurisë. Ishte kërkesa e prokurorit Xhiljano Seferi për masën detyrim paraqitje që u miratua nga gjyqtarja Pajtime Fetahu.
E ndërsa brenda gjykatës së Elbasanit po zhvillohej seanca për masën e sigurisë, jashtë saj burri i 25-vjeçares që ndërroi jetë dhe familjarët me foshnjën në krah kanë protestuar dukë kërkuar drejtësi. Algent Debrova thotë se pas lindjes, mjekët i kishin thënë se gjithcka shkoi mirë, ndërsa anestezisti ishte larguar para kohe."U bëj thirrje gjykatësve dhe prokurorit, kjo cështje nuk mund të kalojnë kaq thjeshtë, ne i kemi, një video kur Rexhina shfaq komplikacionet dhe thotë se nuk po mbushem dot me frymë, ndërsa doktorët vijojnë të qetë dhe na thonë cdo gjë shkoi shumë mirë dhe pas tre orësh thonë nuk mundi të jetonte.
Anestezisti i ka bërë gjilpërën dhe është larguar nga salla, ndërkohë që duhet të ishte deri kur ti dilte mpirja, kardiologu nuk ka qenë në sallë. Rexhina gëzonte shëndet, nuk pati asnjë siklet, e vërtetojnë analizat, dhe doktori që e ka ndjekur për nëntë muaj e di shumë mirë si ishte gjendja. Nuk dua që nga kjo ngjarje të dënohet një i pafajshëm, por nuk dua që e vërteta të manipulohet.
Dua që për shpirtin e asaj që iku 25-vjeçe, një njeri i mrekullueshëm, të zbardhet e vërteta. U kërkoj gjykatësve dhe prokurorëve që ta mendojnë cështjen tonë para se ta gjykojnë, ju lutem mos bëhet ndonjë akt korrupsioni, nuk kam se cfarë të them më tepër. Kur të mbushi goca ime një vit, a do ja festojmë dot ditëlindjen Aleas? Nuk do ia festojmë dot, sepse do të na kujtohet ngjarja tjetër.
Doktoresha, shefja e Gjinkologjisë, Teuta ka dhënë një intervistë ku thotë se pacientja ka ardhur me urgjencë se bebi kishte probleme. Kam buzëqeshur kur e kam dëgjuar, pasi e di shumë mirë doktori që e ka ndjekur dhe i kanë thënë se nuk ke asnjë problem. Fjalët e doktoreshë Teutës, nuk e di pse ka dalë të njollosë imazhin e Rexhinës. Fjalët e saj janë mashtrim dhe do të përballet me mua për shpifje në gjykatë" tha ai.