Spitali i ri i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan vihet në funksion të plotë për 275 mijë banorët e Qarkut të Elbasanit. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot spitalin e Elbasanit bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në investimin me vlerë 1, 7 milion euro. Manastirliu tha se falë angazhimit edhe të stafit mjekësor të Spitalit Rajonal të Elbasanit, investimi i ri është realizuar në kohë rekord. Ai gjithashtu është një nga katër spitalet që janë akredituar gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2019, duke përmbushur kushtet për shërbim shëndetësor sipas kritereve bazë të kërkuara për infrastrukturën, pajisjet teknologjike spitalore, kushtet tekniko-higjienike, kualifikimin e burimeve njerëzore, ofrimin e shërbimit shëndetësor për pacientët.
“Kjo godinë ka qenë e degraduar, simbol i degradimit të sistemit. Investimi për këtë spital, infrastruktura, pajisjet biomjeksore dhe hoteleria ka shkuar në vlerën e 2,7 milionë euro. Është realizuar në kohë rekord, falë gjithë punës që ka bërë ekipi rajonal i Elbasanit. Në kushtet që ka arritur spitali, edhe falë investimit në këtë infrastrukturë, sepse dihet që Urgjenca është porta e parë e shërbimit për qytetarët, tashmë është plotësuar i gjithë standardi i akreditimit, kështu që spitali akreditohet. Urime ekipit të spitalit,” - u shpreh Manastirliu.
Shërbimi i Urgjencës ka një kapacitet prej 25 shtretër dhe përmbush të gjithë standardet e këtij shërbimi, me sistemin e triazhimit dhe aparaturat moderne. Ndërkohë që spitali i ri ka marrë vlerësimet maksimale nga mjekët që kanë punuar aty prej vitesh dhe pacientët të parë që po marrin ndihmën e parë mjekësore.
“Më mirë nuk bëhet. Ju faleminderit shumë për këtë dhuratë që i bëtë Elbasanit. E meritonte Elbasani këtë lloj shërbimi, këtë lloj urgjence. Unë kam qënë dhe në Gjermani, kam bërë dhe trajnime. Kur e shoh këtë ambient këtu, them i kemi më të mira. Është detyra jonë t’i mirëmbajmë,” – u shpreh një nga pjesëtarët e stafit mjekësor.
“Nuk e kam parë këtë as tek privati. Qeveria bën, por duhet ta mirëmbajmë ne, po ne vetë. Kështu që po nuk e mbajtëm vetë, do ta pësojmë si me të tjerat,” - tha një qytetar.
Ministrja Manastirliu shpjegoi se veçantia e spitalit është imazheria, ku banorët duhet të kalonin rrugë për të bërë një eko apo një skaner. Është organizuar që të ketë të gjitha shërbimet e integruara. Sipas saj kanë filluar shtrimet e para në kardiologji.
Shërbimi i kardiologjisë dhe reanimacionit të kardiologjisë është pajisur me aparatura moderne të echo-s, elektrokardiogramës, provës ushtrimore, etj.. Po ashtu shërbimi i neurologjisë dhe reanimacionit të neurologjisë plotëson standardet me aparaturat e reja të ezhesë dhe aparaturat moderne në reanimacion dhe stafit mjekësor i janë bashkuar dhe mjekë të rinj specialistë. Sipas ministres të sëmurët me diabet nuk u duhet që të shkojnë në Tiranë, por mund të konsultohen direkt aty.