Emigracion/200 afrikanë të shpëtuar në brigjet spanjolle. Në Itali zbarkojnë 104 nga anija Eleonore

3 Shtator 2019, 12:07

Të paktën 200 emigrantë nga brigjet e Afrikës janë shpëtuar ditët e djeshme nga disa operacione të ndërmarra nga roja bregdetare spanjolle. 73 persona, përfshirë 10 të mitur, u gjetën në det në ngushticën e Gjibraltarit dhe 110 të tjerë në detin Alboran.

Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, nga muaji janar e deri në gusht, numri I emigrantëve që ka mbërritur në Spanjë është rreth 18,000, 39 përqind më pak se një vit më parë.

Për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, brenda 12 muajve, fluksi i migracionit ka rënë në shumë se 1 milion njerëz, ndërsa të paktën 15,000 migrantë kanë humbur jetën duke u përpjekur për të mbërritur në Europë.

Edhe në Itali, nga bordi i anijes Eleanore, janë zbarkuar 104 emigrantëve, pavarësisht mosautorizimit nga Ministria e Brendshme.

Në Lampedusa autoritetet gjithashtu lejuan zbritjen e 31 personave që u gjendën në ujrat e detit Jon, ndërkohë që njëqind emigrantë u shpëtuan në det nga 4 anije të Marinës.

Dje, në qytetin autonom spanjoll të Ceuta, 150 migrantë nga Afrika nën-Sahariane, pasi plagosën 12 roje civile, kapërcyen gardhin me tela me gjemba, gjashtë metra të lartë dhe u ‘derdhën’ në rrugët e qytetit. Qëllimi i tyre është mbërritja në qytetin Benzú, ku ndodhet qëndra e qëndrimit të përkohshëm të emigrantëve.