Emrat/ Lista e PD-së e mbushur me të dënuar për vjedhje, ‘kauboj", terrorizues stadiumesh

10 Mars 2021, 21:13

Të dënuar për vjedhje, të dënuar të shumëfishtë, zjarrvënës, njerëz më të shkuar të dyshimtë, të shkarkuar dhe të kallëzuar për shpërdorim detyre etj., do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit për t’u bërë pjesë e parlamentit të ri, me firmën Lulzim Bashës dhe nën siglën e Partisë Demokratike. Madje, disa prej tyre, për shkak të renditjes në zona fituese, pothuajse e kanë të sigurt që sot mandatin e deputetit. Në Fier, Lulzim Basha ka vendosur të gjashtin në listë Agron Kapllanajn, i dënuar me dy vite burg për vjedhje, në vitin 2003, në Itali. Në formularin e dekriminalizimit, kandidati i PD thotë se është dënuar me 2 vite burg dhe 200 euro gjobë, për veprën penale të vjedhjes, parashikuar në nenin 624 të Kodit Penal Italian.

Ngjarja ka ndodhur 26 korrik të vitit 1995, ndërsa gjykata e ka dënuar në 7 prill 2003. Në të njëjtin formular, kandidati i PD-së thotë se është dënuar për veprën penale të pushtimit me dhunë të pronës private në Itali, parashikuar në nenin 634 të Kodit Penal Italian, por duket se kemi të bëjnë për një vepër penale, atë të vjedhjes. Edhe pse në dijeni të të kaluarës së Kapllanajt, Basha e ka kandiduar për deputet në Fier, duke propaganduar në të njëjtën kohë lista të pastra. Ligji i dekriminalizimit nuk e ndalon Kapllanajn që të kandidojë për deputet, pasi vepra penale e vjedhjes nuk përfshihet në kriteret ndaluese, por kandidimi i tij, rrëzon ‘kauzën’ e PD-së për lista të pastra dhe kandidatë me integritet.