Emrat/ Vdekja e minatorit të Bulqizë, arrestohet një person, procedohet penalisht një tjetër

25 Shkurt 2021, 15:39

Një ditë pasi minatori humbi jetën brenda galerisë në Bulqizë, policia ka vënë në pranga armatorin dhe po heton drejtuesin e kompanisë minerare. Një pjesë e galerisë u shemb nga mungesa e sigurisë në punë. 49-vjecari Fiqiri Karaj la pas bashkëshorten me tre vajza, e cila apelon për ndihmë.

Fiqiri Karaj, 49 vjeç humbi jetën teksa punonte në galeritë e Zonës D. Një ditë pas ngjarjes së rëndë në minierën e kromit, policia ka vënë në pranga Çaush Duriçin, me detyre armator i galerisë, ndërsa po hetohet në gjendje të lirë Fitim Kaci me detyre brigadier i kompanisë minerare "Kaci if 2012 sh.p.k". Duriçi dhe Kaci akuzohen për veprën penale "shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë".

Nga hetimet paraprake rezulton se minatori ka humbur jetën për shkak të mungesës së sigurisë në punë. Një pjesë e armaturës në nën-katet e galerisë është shembur duke zënë poshtë 49-vjeçarin që punonte si vagonist në minierë.