Emrat / Zgjidhen 9 anëtarët e rinj të institucionit kyç për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese

4 Dhjetor 2020, 12:54 | Përditesimi i fundit: 2020-12-04 16:59:27

Është hedhur ditën e sotme në institucionin e Presidentit i Republikës shorti për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Rifomartimi i KED do të jetë për të gjithë vitin 2021. Në short ishin kandidatët e sjellë nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi u zbuluan të parët. Mësohet se për vitin e ardhshëm, anëtarë të KED-së do të jenë Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska. Anëtare zëvendësuese në KED si përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese është shortuar Fiona Papajorgji.

Ndërkohë që Ervin Pupe është zgjedhur përfaqësuesi i Gjykatës së Lartë, ndërsa Ilir Panda anëtar zëvendësues.

Adnan Xholi zgjidhet anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme. Anëtar zëvendësues është zgjedhur Kujtim Luli.

Anëtarët përfaqësues nga Gjykatat e Apelit në KED janë zgjedhur Astrit Kalaja dhe Elona Toro. Anëtari zëvendësues do të jetë Zegjine Sollaku.

Gjon Fusha dhe Genti Xholi do të jenë anëtarët për vitin 2021 në KED si përfaqësues të Prokurorive të Apelit. Ndërsa goglat zgjodhën Kleant Zekën si përfaqësues zëvendësues.

Anëtari i fundit, përfaqësues nga Gjykatat Administrative, është zgjedhur Rilinda Selimi, ndërsa zëvendëse do të jetë Gentiana Xhelili.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ kolegjial, i përbërë nga 9 anëtarë me një mandat 1 vjeçar, dhe është përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.  Riformatimi i KED bëhet shumë i rëndësishëm në këtë moment pasi pritet që të ecet  para me plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.