Ende pa përfunduar, probleme në By-Passin e Tepelenës, punonjësit e firmës i marrin telefonin gazetarit të Report Tv: Mos filmo!

26 Dhjetor 2019, 17:05

Ende pa përfunduar ndërtimi për by-passin e Tepelenës kanë nisur dhe problemet e para të këtij projekti të shumëdiskutuar. Një pjesë e urës që lidh dy segmentet rrugorë Levan-Tepelenë dhe Tepelenë-Kakavijë  ka rrëshqitur.

Gjatë hedhjes së betonit skelat mbajtëse kanë rënë. By passi me një gjatësi prej 2.3 km me katër korësi dhe i financuar me një vlerë 2.9 miliardë lekë synon të lehtësojë qarkullimin e mjeteve në këtë aks nacional. Ky incident i ndodhur gjatë punimeve për ndërtimin e By passit ka vënë në dyshim cilësinë e punimeve. Por për të parë nga afër se çfarë ka ndodhur me urën gazetari i Report Tv Piro Nase shkoi në kantierin e ndërtimit.

Prezenca e gazetarit ka irrituar punonjësit e firmës së ndërtimit të cilët i kërkuan gazetarit të fshinte pamjet e marra duke degraduar në një debat verbal. "Ti ore mos na filmo" iu drejtuan punonjësit gazetarit. Punonjësit i kanë marrë telefonin gazetarit dhe vetëm me ndërhyrjen e policisë së Tepelenës telefoni iu kthye. Ndërsa duke parë pamjet vihet re që po ndërhyhet për rregullimin e urës së shembur.