Ëndrra Euro 2020 vazhdon, Shqipëria gjunjëzon me goleadë Islandën në Elbasan, fiton 4-2

11 Shtator 2019, 09:28

ELBASAN- Shqipëria fiton 4-2 përballë Islandës dhe rihap garën në grupin H për kualifikueset e Euro 2020. Kastriot Dermaku, Elseid Hysaj, Odise Roshi dhe Sokol Cikalleshi menduan t'i japin fitoren kuqezinjve përballë Islandës, një ndeshje shumë vendimtare për kuqezinjtë.

Reja hodhi në fushë një formacion 3-5-2, me gjashtë ndryshime në formacion krahasuar me atë ndaj Francës. Golin e parë e shënoi Dermaku në minutën e 32'. 27- vjeçari të cilin Reja zgjodhi ta vendosë në vendin e Mavrajt, shpërbleu me një gol me kokë Shqipërinë. Lojtari i Parmas kërceu mbi gjithë mbrojtësit e tjerë për të zhbllokuar sfidën. 

Pjesa e dytë nisi me gol për islandezët. Një pasiguri i Ardian Ismajli bëri lojtari më i rrezikshëm i miqve, Gylfi Sigurdsson barazoi në 'heshtje' rezultatin e sfidës. Por vetëm pak minuta dhe një pasim spektakolar i sulmuesit Rey Manaj u konkretizua me gol nga kapiteni Elseid Hysaj. Shkodrani mposhti lehtë portierin Halldorsson dhe festoi me stolin. Por euforia e kuqezinjve do të zgjaste shumë pak. Islandezët menduan të inkuadrojnë 9-shin e tyre Sigthorsson i cili shënoi me prekjen e tij të parë në portën e Thomas Strakoshës.

Por Shqipëria nuk e kishte thënë fjalën e fundit. Goli i tretë erdhi nga stoli, pikërisht nga Odise Roshi i cili i ndihmuar nga një devijim i një prej mbrojtësve islandezë, çoi topin në shtyllë dhe më pas në rrjetë. I gjithë stoli i kombëtares në fushë për të festuar me Roshin. Por nuk do të mjaftonte me kaq. Sokol Cikalleshi i cili deri në ato momente kishte bërë një ndeshje pefekte, shënoi golin e katërt shfrytëzuar një top të ardhur në qendër të zonës. Bomberi shpërtheu portën e Halldorsson duke e çuar topin në trekëndësh.