Ëndrra për kompeticion të përbashkët Shqipëri-Kosovë, dorëzohet në UEFA projekti ‘Nënë Tereza’

25 Dhjetor 2019, 14:21

Ëndrra për një kompeticion të përbashkët futbollistik mes Kosovës dhe Shqipërisë mund të jetë drejt realizmit. Edhe pse jo për një kampionat të përbashkët, bëhet fjalë për Kupën e cila do të quhet ‘Nënë Tereza’. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i federatës kosovare të futbollit, Agim Ademi, i cili për gazetën ‘Zëri’ ka zbuluar mjaft detaje.

Ademi ka treguar se së bashku me Dukën po punojnë inetnsivisht për ta bërë realitet këtë kompeticion, ku do të marrin pjesë skuadrat e dy shteteve dhe në fund fituesi do të marrë shpërblimin jo vetëm të federatave, por edhe të dy qeverive, të cilat do të krijojnë një fond të posaçëm për këtë Kupë që bashkon vendet.

Ademi ka zbuluar se projekti tashmë është dorëzuar edhe në UEFA, ndaj pretendimet janë që kompeticioni të marrë jetë duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Ndër të tjera Ademi është shprehur:

“Ne e kemi dorëzuar në UEFA projektin dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Vitin tjetër do të mbajmë mbledhje për këtë çështje dhe do ta diskutojmë. Kjo çështje i takon më shumë presidentit Armand Duka, që është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA. Në kuadër të kësaj i takon atij me kompetencë ta përcjellë këtë çështje.”

Ideja është që ndeshjet e kupës ‘Nënë Tereza’ të zhvillohen në mesjavë, ekzaktësisht të mërkurën dhe të enjten, ditë që korepsondojnë me ditët e mos zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit. Ndërkohë fituesi i kësaj kupe do të mund të marrë pjesë në eliminatoret e Europa League.