Enver Hoxha: Si na i mori nga duart Ali Këlcyra, armët e 4 mijë robërve italianë

30 Prill 2020, 20:51

Emri i Ali Këlcyrës, reputacioni i tij, aftësitë organizative dhe sidomos karakteti i tij i fortë, duket se i rrinte ngulitur në tru , në çdo rrethanë Enver Hoxhës. Më4 tetor 1943 me një nerv gati shpërthyes Hoxha i shkruan Liri Gegës: “Ushtarët “trima” të Korçës zunë nja 4000 italianë nga ana e Këlcyrës a e Përmetit dhe nuk i çarmatosnë se i ndaloi një oficer inglez; dhe këta, Zotit agjentit të Inteligent Servisit ju binden më mirë se urdhrave të Shtabit Shqiptar dhe i lanë ushtarët e u futnë në Shtrungën e Ali Be Këlcyrës i cili i zhveshi nga të gjitha edhe topa edhe brekët bile dhe oficerit inglez i tha si burrë: mos më çaj kokën!. A e dini se ç’solucion i kanë gjetur shokët e Korçës për të rimarrë këto armë, (vetëm mos qeshni) pse është për të qarë hallë, kanë çuar shokë që t’i blejnë me pare kështu që të mos i përdorij dot Ali Beu. E kuptoni pllanin, i kishin në dorë, ja dhanë Ali Beut dhe tash i japin paret Ali Beut dhe marrin armët. Duhet t’i keç trutë në fund të këmbës që të punoç kësisoj; dhe ju kërkoni ofensivë të përgjithëshme në të tërë frontin me këta njerës”. Por anën tjetër të medaljes në këtë ndodhi na e sjell Hana Këlcyra, e cila e kishte mësuar këtë ngjarje në kohën kur i ati do të përballej pas luftës në Itali, me akuzat e britanikëve për mosbashkëpunim me komunistët. “Babai kishte refuzuar 2 batalionet që çarmatosi italiane, t’i dorëzojë armët komunistëve. Ai anglezi, Stiven e quanin më duket, se babai i tha atij partizanit “nuk i dorëzoj”. Ky doli nga shpella, anglezi i tha babait: “Unë të urdhëroj” dhe babai i tha: “Kush je ti?”. I tha ai si e quanin dhe babai i tha: “Unë jam në Këlcyrë, jam beu i këtij vendi dhe nuk pranoj asnjë urdhër nga një i huaj, aq më tepër, po t’ia dorëzoj unë këtij, këta nesër do na vrasin. Unë më mirë i hedh në Vjosë, por këtij nuk ia jap”. Atëherë ai e kërcënoi dhe i tha: “Atëherë në qoftë se puna është kështu, unë do të referoj në Kajro që ti sabotove urdhrat tanë”, se zyrën e kishin në Kajro”.