Enver Hoxhaj intervistë për Report TV: 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira

8 Dhjetor 2020, 18:49

Suada Mehmetaj: Përshëndetje! Ndodhemi sot në Prishtinë për të zhvilluar një bisedë me Zotin Enver Hoxhaj, kreun në Detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-ministrin e jashtëm. Z. Hoxhaj faleminderit që pranuat të zhvillonit këtë bisedë me neve. 

Enver Hoxhaj: Me nder qofshit! Mirë se keni ardhur në zyrën time. 

Suada Mehmetaj: Z. Hoxhaj ka qenë një vit tejet aktiv dhe ka pasur shumë zhvillime në Kosovë. Si mund të konsiderohet 2020 për Kosovën? 


Enver Hoxhaj: Mendoj se 2020 për Kosovën ka qenë një prej viteve më të vështira, më të komplikuara dhe më ta paqarta. Në kuptimin se gjatë një viti ka një listë me pritje konkrete, qëllime dhe rezultate të matshme.  Fillimisht kishim situatën e pandemisë, pastaj një situatë mungese stabiliteti qeveritar, ku u rrëzuar qeveria Kurti dhe erdhi qeveria Hoti, kishim zhvillimin në dialogun Kosovë-Serbi dhe në fund ishte goditja më e madhe që mund t’i ndodhte Kosovës, konfirmimi i aktakuzave për Zotin Thaçi, Zotin Veseli, Zotin Krasniqi dhe Zotin Selimi dhe për të tjerë nga Gjykata Speciale. 


Suada Mehmetaj: Z. Hoxhaj të qëndrojmë tek zhvillimet e fundit në lidhje me 'Specialen' dhe pastaj kalojmë tek temat e tjera. Dy nga figurat kryesore që aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë, janë edhe nga figurat kryesore të PDK-së. Ish-presidenti Thaçi ka qenë edhe kryetari i parë i kësaj partie dhe gjithashtu kryetari aktual Z. Veseli. Cila mendoni se mund të jetë pozita e tyre? Çfarë mund të ndodhë me ta pas konfirmimit të këtyre aktakuzave? Çfarë zhvillimesh mund të kemi?