Epidemiologu Alimehmeti: Masat izoluese nuk do të kenë një impakt të madh! Duhet përmirësuar struktura spitalore

10 Nëntor 2020, 19:13

Për epidemiologun Ilir Alimehmeti, masat izoluese të ndërmarra nga qeveria shqiptare nuk do të kenë një impakt shumë të madh në uljen e të infektuarve.

Ai argumenton se me hyrjen e dimrit dhe uljen e temperaturave, efekti do të jetë më i madh aq sa nuk do të ndihet shumë ndikimi zbritës i masave izoluese. Në një intervistë për Report Tv, Alimehmeti u shpreh se dhe efekti i maskave të detyrueshme nuk ka qenë shumë i madh.

"Masat e mbylljes 22:00 - 06:00, në kuadrin kur ne tani po shkojmë drejt dimrit, në orët e mbrëmjes temperaturat janë të ftohta. Personat që e vuan më tepër, mosha më e madhe nuk e kemi prezente në këtë orar. Ndaj efekti i kësaj mase do të jetë i vogël. Pritet pasi çdo lloj mase ja shohim disa javë më pas. Do rishihet pas 3 javësh. Nuk pres ndonjë efekt të habitshëm njësoj si nuk prisnim efektin e maskave të detyrueshme në ambientet e jashtme. Me hyrjen e dimrit, efekti që do të sjellë është shumë herë më i lartë sa nuk do të ndihet impakti zbritës i këtyre masave" - delaroi Alimehmeti.

Ndërkohë që gjatë muajve të fundit janë rritur rastet e vetëhedhjes nga spitalet COVID, Alimehmeti shprehet se spitalet COVID nuk kanë struktura. Epidemiologu deklaroi se duhen marrë masa për "izolimin" e dritareve të spitaleve.

"Ajo mund të jetë një nga masat e marra. Me ngritjen e spitaleve moderne është e parashikuar një masë e tillë. Situata të tilla janë ekzistente. Dritare që nuk hapen plotësisht. Duke marrë parasysh që janë spitale të ndërtuara shumë vite më parë. Shumë mirë që janë bërë mbi 2000 testime por duhen akoma më shumë. Rastet janë shumë më tepër. Alarmante nuk duket akoma por problemi është tek struktura spitalore. Ato janë të plotësuara, ndaj nevojitet një strukturë spitalore tjetër. Zgjidhja më e saktë në këtë moment. Duhet të futen në përdorim spitalet rajonale" - tha Alimehmeti.