Era e fortë lë pa energji mijëra banorë në Lezhë, shkak edhe amortizimi i rrjetit

6 Prill 2020, 11:59

Mijëra banor të Lezhës kanë ngelur pa energji elektrike, si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara në rrjet nga era e fortë që po shoqëron këtë rajon prej 2 ditësh. Sipas burimeve që prej mbrëmjes të së dielës ka mungesë energjie në fshatrat e Zadrimës si dhe të njësive administrative Kolsh e Zejmen.

Kjo situatë ka vështirësuar edhe më shumë jetesën e banorëve të këtyre zonave në këtë kohë karantine të krijuar nga koronavirusi. Nga ana tjetër punonjësit e Njesisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë ndodhen në terren për riparimin e defekteve.

Në disa zona është bërë i mundur rikthimi i energjisë elektrike, ndërsa po punohet intensivisht për të rikthyer sa më parë energjinë në të gjitha zonat ku aktualisht mungon. Me përkeqësimin e kushteve atmosferike, ndërprerjet e energjisë elektrike janë një refren i vazhdueshëm në Lezhë, e kjo vjen nga amortizimi i rrjetit dhe ndërhyrjeve me cilësi të dobët atje ku ka patur investime.

Ne.k./Shqiptarja.com