Erdogan sfidon bashkësinë ndërkombëtare: Ska zgjatje të armëpushimit, Asad: Ai po vjedh tokën tonë

22 Tetor 2019, 13:22

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vazhdon të sfidojë bashkësinë ndërkombëtare.

“I gjithë perëndimi, përfshirë shtetet e NATO-s dhe BE-së, na sulmuan dhe u afruan me tërroristët” – tha presidenti turk.

Deklarata e Erdogan nuk është e rastësishme. Ajo vjen në një kohë kur sot ai do të takohet me  presidentin Vladimir Putin në Soçi, me të cilin do të flasë për "masat e nevojshme" që do të merren në Veri-Lindjen e Sirisë.

Me përfundimin e armëpushimi pesë-ditor, Ankaraja ka deklaruar se nuk do të ketë zgjatje të mëtejshme.

Turqia dëshiron tërheqjen e militantëve kurdë nga zona e sigurisë që Erdogan synon të krijojë në kufi, një zonë prej 32 kilometrash në të cilën Turqia synon të rivendosë një pjesë të 3.6 milion refugjatëve sirianë të mirëpritur në bazë të një marrëveshjeje me BE.

Ndërsa Ministri gjerman i Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, dje kërkoi krijimin e një zone sigurie nën kontroll ndërkombëtar "në rajonet e Sirisë në kufirin me Turqinë".

Propozimi do të zyrtarizohet në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në 24 dhe 25 tetor.

Presidenti turk dje u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e kurdëve. Përndryshe, kërcënoni ai, "operacioni do të fillojë". I vetmi që mund ta ndalojë duket se është vetë Putini (i cili dje pati një bisedë telefonike me Macron), dhe që do të duhet të kërkojë një kompromis të vështirë midis Erdogan, Asad dhe Kurdëve.