Erlis Kuçana, pianisti 11-vjeçar i talentuar nga Lezha: Fillimi ka qenë pak i vështirë... Dëshiroj që të vazhdoj në Lice

28 Mars 2021, 16:27 | Përditesimi i fundit: 2021-03-28 17:31:40

#reportTV #lajmeshqip #lajme Erlis Kuçana është nxënës i klasës së gjashtë në Lezhë shkollës 9-vjeçare "Besëlidhja" në qytetin e Lezhës. Që në moshën 6-vjeçare, piano është bërë pjese e përditshmërisë së tij. "Unë e kam nisur pianon që 6 vjeç. Në klasë të parë. Në vitin 2015. Fillimi ka qenë pak i vështirë. Në shtëpi studioj. Kurse në shkollë bëj gjëra të reja që i përmirësoj", u shpreh pianisti, Erlis Kuçana. Katër ore në ditë ja kushton pianos dhe veprat klasike janë më të preferuarat për Erlisin. "Bazat për të mësuar pianon janë: Të mbaj dorën rrumbullak. Sikur mban një top të vogël ose mollë. Trupi drejt. As mos të godasim, as mos të shtyjmë, por ta mbështesim. Unë i bie me parte, nota. Ma nxiti babi. Ai më nxiti sepse kisha pak vesh për muzike dhe kisha e qejf. Kam arritur deri tek ajo fazë që mund të luaj pjesë shpejt. 'Klasike', 'BA', 'Barok' etj. Më pëlqejnë shumë 'Klasiket' që hyjnë tek pianisti 'BA' dhe 'baroket'. Kur i din notat dhe gjërat bazë nuk është shumë i vështirë. Por do shumë studim dhe punë. Qëllimi im është që ta mësoj pianon shumë mirë. Kam qejf që të vazhdoj në Lice", tha pianisti, Erlis Kuçana. 11-vjeçari ka marrë pjesë në shumë aktivitete brenda dhe jashtë vendit, duke u vlerësuar me çmime. "Ishte i vogël, kur unë e shikoja duke luajtur me organo. E shikoja që e kishte me dëshirë dhe ja arriti. Jam shumë i kënaqur sepse edhe në kompeticione që ka marrë pjesë ka arrit rezultate. Së fundmi ka fituar çmimin e parë në Prishtinë në kategorinë e tij. Në Tiranë ka marrë çmimin e parë absolut. Një pjesë me katër duar", u shpreh i ati i Erlisit, Shkelqim Kuçana. Babai i tij i cili është dhe vetë muzikant thotë se një ndihmese të madhe në formimin e të birit është shkolla e muzikës në qytetin e Lezhës. "Erlisi e nisi pianon në momentin që në Lezhë u vendos që të hapej një shkollë muzike. Projekt i disa mësuesve, madje kujtoj dhe mësues Sokol Vukën. Ai nuk jeton, por ama vijon projekti që ai nisi", tha babai i Erlisit. Mësuesi i muzikës thotë se në shkollën "Besëlidhja" ka prurje shumë të mira, fëmijë të talentuar, mes tyre dhe Erlisi. "Është një nxënës jashtëzakonisht i mirë. Puna që bën është shumë e mira. Është një nxënës i ri për mua dhe duhet të falënderojmë edhe mësuesin e vjetër që ka pasur, pasi është një mësues që me atë e ka nisur. Është nxënës jashtëzakonisht i mirë. Në Lezhë është bërë një punë shumë e mirë, por vetë qytetarët e Lezhës kanë një dëshirë shumë të madhe për muzikën. Veçanërisht për muzikën e Klasike". tha mësuesi i muzikës, Florian Hoxha. Gjashtë vite pas hapjes së shkollës së muzikës në Lezhë, kanë dalë talentet e para, duke i kthyer këtij qyteti traditën e dikurshme.