‘Erotika’ e Janis Ricos në shqip, përkthyesja: Poezitë e tij janë për dashurinë mishtore

28 Shtator 2019, 16:52

Vëllimi poetik “Erotika” i Janis Ricosit, poetit grek që është nomiminuar disa herë për “Nobel”, vjen në gjuhën shqipe nga përkthyesja Eleana Zhako. Gjatë një mbrëmje poetike në galerinë “Zenit” ku pjesë e saj ishin njerëz të letrave përkthyesja Zhako ndalet tek rëndësia e këtij botimi me poezi, që poeti grek e ka shkruar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të jetës së tij. Libri është kuintesenca e gjithë krijimtarisë së tij lirike-erotike edhe shquhet për modernizmin e theksuar, lakonizmin artistik edhe formën minimaliste, ku gjallon një numër i pafundmë figurash, simbolesh mitike e biblike dhe elementesh natyrore.

“Janis Ricosi është poeti më i njohur grek edhe më i përkthyer në shqip. Është ndër emrat më të njohur botërorë, që konsiderohet si poetët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ishte kandidat i tretë i panominuar nobelist për shkak të bindjeve të tij politike. Ai ishte anëtar i hershëm i partisë komuniste të Greqisë, edhe për këtë arsye në atë kohë nuk u favorizua. Por është vlerësuar me çmimin “Lenin”. Në këtë vëllim që i prezantohet lexuesit shqiptar poezia e tij largohet nga fryma politike. Është një libër që i kushtohet Erosit, Imerodit, një nga bijtë e Afërditës. Është perëndia e pasionit. I kushtohet dashurisë mishtore.  Prandaj, një nga arsyet që shkroi erotikën, është një lloj antidoti ndaj kalimit të kohës, zvetënimit që sjell koha edhe ndaj reshkjes së trupit”, shprehet përkthyesja Eleana Zhako.