'Është kancer, nga koalicioni na ndau reforma në drejtësi'! Rama: LSI Është rritur në kurriz të PS

9 Tetor 2020, 21:36

TIRANË- Asambleja e PS përveç prezantimit të punëve që socialistët kanë bërë në këto dy vite qeverisëse, nxorën në pah edhe detaje nga koalicioni qeverisës që PS ka pasur me LSI-në në mandatin e saj të parë.

Ato vite qeverisëse duket kanë qenë edhe më të pakënaqurit për kryeministrin Rama duke thënë se ai ka qene dy herë partizani i bashkimit të dy 'shpirtrave ' socialistë për të krijuar një pol të fuqishëm qeverisës, por kuptoi që LSI ka dashur vetëm të përfitojë nga PS për t'u rritur vetë, ashtu siç edhe po bën aktualisht me PD-në, pasi ka lindur si forcë hakmarrëse. Rama e cilësoi LSI si kancer të politikës që kërkon vetëm të rriten në kurriz të partive të mëdha PS dhe PD dhe se të dyja partitë  kanë dhënë një pjesë të shpirtit të tyre kur kanë qenë në koalicion me LSI-në.  

Si kurrë më parë ndonjëherë kryeministri Edi Rama ka hedhur  akuza të panumërta ndaj Ilir Metës dhe LSI. Bomba që çau koalicionin e tyre ishte reforma në drejtësi, reformë që ka qenë mjaft e sulmuar nga kreu i Shtetit Ilir Meta dhe ka nxitur shpesh reagimet ndërkombëtare për t'iu kundërpërgjigjur. Sulmet nuk munguan as për presidentin Meta, për të cilin Rama tha se nuk e dinte "se do shkallonte" kur e votuan President, por e dinin që në fillim që do ishte i pari i opozitës.

Gjithashtu edhe dekoratat e bëra nga Presidenti  kanë qenë në shënjestër të ironive të kryeministri i cili tha se "Meta i ka marrë varrezat me radhë dhe si e ka nisur do dekorojë dhe Skënderbeun". Në mbyllje të fjalës së tij Rama tha se do ishte një fushatë interesante dhe gjithçka që donte tani ishte të shpëtonte Lulin nga 'kthetrat' e Monikës dhe Ilirit.