Eurobondi, ministri Ahmetaj flet për Report Tv: Jemi optimist, ky është test për Shqipërinë

2 Tetor 2018, 14:32

Sot Shqipëria pritet të dalë në tregjet ndërkombëtare me synimin për të marrë 500 milionë euro përmes emetimit të eurobondit. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një lidhje telefonike për Report Tv nga Parisi aty ku po ndjek hap pas hapi procesin, është shprehur optimist. Ahmetaj ka thënë se ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Ministri ka sqaruar se dalja e Shqipërisë në tregun ndërkombëtarë të kapitalit, është një pikë kthese. Më herët pati një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se përgjigjen për gjendjen e ekonomisë shqiptare do e japin tregjet botërore.

Ne jemi në një moment të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Përtej debatit për pushtet, ky është një test për ekonominë shqiptare. Tregjet na shohin ashtu siç jemi, dhe jo ashtu si debatojmë. Tregjet kanë mirëpritur reformat tona. Ka një diferencë të madhe për kthesën që ka marrë ekonomia për këto vite. Aq më tepër, që ne synojmë të jemi ndryshe dhe ky vendim të jetë afatgjatë. Interesimi i investitorëve është i konsoliduar dhe ata e mendojnë Shqipërinë në një trend pozitiv.

Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë dhe Financave

I pyetur nga gazetarja Aida Toncica, lidhur me vlerësimin e Moody-s për rritjen ekonomike dhe situatën ku ndodhet ekonomia shqiptare, Ahmetaj ka thënë se vlerësimi nga Moody është një tjetër tregues për mënyrën sesi po na perceptojnë tregjet e huaja.

Patjetër që ky moment është një vlerësim. Kemi kaluar në një tjetër aspekt për mënyrën sesi na perceptojnë tregjet. Kompanitë e vlerësimit i kanë parë të dhënat. Ne kemi akoma një borxh të lartë që do punojmë për t’a ulur.

    No videos found.