Europa League/ Milan kërkon kualifikimin kundër Celtic, Napoli hakmarrjen me Az Alkmar

3 Dhjetor 2020, 13:50 | Përditesimi i fundit: 2020-12-03 13:55:54

Milani i Stefano Piolit, trajnerit që kthehet sonte në pankinë pasi mposhti koronavirusin, do të përballet me Celtic, me misionin e vetëm fitoren. ‘Djalli’ ndodhet në vendin e dytë në grupin H dhe një tre pikësh kundër Celtic do ta mbante në garë për vendin e parë, por me shumë gjasa do t’i siguronte edhe kualifikimin.

Për këtë ndeshje kundër skocezëve Milan vijon të ketë të padisponueshëm Ibrahimovic, ndërsa do të mungojë gjithashtu edhe Rafel Leao.

Ndërkohë Napoli gjendet në pozicion më komod, pasi renditet i pari në grupin F, por gjithsesi nuk ka asgjë të sigurtë, aq më tepër që sonte do të përballet në Holandë me ekipin që e mposhti në ndeshjen e parë, Az Alkmar. Për këtë sfidë Gatusso-s do t’i mungojë si Hysaj edhe Rrahmani pavarësisht se të dy të mërkurën mposhtën koronavirusin.

Sakaq sonte në fushë do të zbresë edhe Roma që luan përballë Young Boys, por verdhekuqtë e kanë siguruar kualifikimin. Në kryeqytetin italian do të luhet për vendin e parë, por një humbje për zviceranët do të vinte në pikëpyetje kualifikimin për më tej.