Europa Perëndimore fiton betejën mbi standardet jo të drejta në industrinë e ushqimit

2 Prill 2019, 15:05

Një konsumator në Pragë së shpejti do të mund të shijojë një Coca-Cola duke ditur se është e përbërë nga të njejtët ingredientë si Coca-Cola i shitur në raftet e Berlinit.

Një fitore për qeveritë e Evropës Qëndrore dhe Lindore, ku negociuesit e BE-së luftuan dhe ranë dakord për legjislacionin e ushqimeve të ashtuquajtura «me cilësi të dyfishtë»; pra ushqime të cilat shiten me paketim dhe etiketim identik, por me ingredientë që ndryshojnë sipas tregjeve ku shiten. Vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore kanë kërkuar vazhdimisht për ligje që adresojnë këtë çështje, e cila sipas tyre, rezulton në importimin e produkteve më inferiore se ato të gjetura në Perëndim.

Sipas rregullave të reja që u arritën të mërkurën dhe u pasuan nga diskutime të natyrës teknike të premten, çdo produkt (qofshin kanoçe Coca-Cola, shampo Head & Shoulders, etj) do të përmbajë të njejtët ingredientë, me përjashtime të rralla. Praktikat e tregtimit të ushqimeve me cilësi të dyfishtë do të konsiderohen si praktika të padrejta tregtare dhe kompanitë do të penalizohen për shkeljen e ligjit me deri në 4% të xhiros së tyre vjetore.

«Është hera e parë që ky problem po pranohet dhe po njihet,» tha një nga Komisionerët.

Këto rregulla të reja, që janë pjesë e një reforme më të gjerë të legjislacionit për konsumatorin, vijnë pas disa vitesh lobim të fortë nga ana e shteteve nga ish blloku lindor dhe pavarësisht rezistencës nga ata në Perëndim që vënë në dyshim nevojën për legjislacion të ri.

Sipas rregullave të reja, shijet dhe preferencat e konsumatorëve nuk do të konsiderohen më si pretekst për shitjen e produkteve me cilësi të ndryshme.