EUROPOL në Shqipëri/ Ardi Veliu rendit sukeseset e bashkëpunimit

11 Korrik 2019, 11:47

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vuri theksin në angazhimin e policisë së shtetit në zhvillimin e operacioneve ku është bashkëpunuar me EUROPOL. Ai tha se tashmë synohet pjesëmarrja në projekte të tjera ndërkombëtare të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.

"Gjatë vitit 2018 nga EUROPOL janë zhvilluar 8 operacione ndërsa gjatë këtij gjashtë mujori janë zhvilluar 12 operacione, 3 prej të cilëve vetëm gjatë tre muajve të fundit. Në këto operacione edhe policia shqiptare ishte pjesëmarrëse njësoj si homologët e saj. Në kuadrin e bashkëpunimit me EUROPOL Shqipëria bën pjesë në 30 projekte analitike. Në të ardhmen synojmë të jemi pjesëmarrës edhe në pikat e tjera. Të gjitha rezultatet tregojnë angazhimin e policisë së shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe shkeljes së ligjit. Të nderuar pjesëmarrës shpreh gatishmërinë e policisë shqiptare për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë sidomos me EUROPOL", tha Veliu.

FJALA E PLOTË

Më lejoni t’i shpreh mirëseardhjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shqiptare,  delegacionit të lartë të EUROPOL-it si dhe kënaqësinë për prezencën e ambasadorëve në këtë takim   Bashkëpunimi me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere  për Policinë e Shtetit është një ndër tre prioritetet kryesore të punës së saj, pasi ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të ketë sukses sado e zhvilluar të jetë një organizatë policore në rast se nuk bashkëpunon me partnerët.
 
Krimi i organizuar është i ndërlikuar, i shtrirë në hapësirë dhe s'njeh kufij, ngjyrë apo kombësi dhe për këtë, bashkëpunimi është domosdoshmëri për të përmbushur  detyrën më kryesore, krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, biznesin dhe turistë.Policia e Shtetit është e angazhuar për të kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë publike rajonale dhe më gjerë, nëpërmjet bashkëpunimit me policitë homologe dhe agjencive ligjzbatuese partnere.