Eurosong 2020/ Arilena Ara publikon këngën në anglisht

10 Mars 2020, 13:39

Është publikuar versioni i këngës “Shaj” të Arilena Arës në anglisht. Me titullin “Fall from the sky” këngëtarja do të përfaqësojë Shqipërinë në gjysmëfinalen e dytë në  Festivalin e Këngës Europiane në Rotterdam të Holandës në muajin maj.

Kënga “Shaj” vjen e ripërpunuar në gjuhën angleze me një tingull më modern edhe miqësor. Ndërsa, më herët Ara e ka cilësuar jo thjesht muzikë, por ndjesi personale, që del nga shpirti.

Arilena Ara u përzgjodh fituese në Festivalin e 58-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Pas Jonida Maliqit, Ara fiton të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong.

Kënga “Shaj” është kompozuar nga kompozitori Darko Dimitrov dhe Lazar Cvetkovski. Ndërsa, teksti është shkruar nga Lindon Berisha.

Festivali i 65-të Evropian i Këngës 2020 zhvillohet në Holandë, pas fitores në Tel Aviv (2019, Izrael), me këngën "Arcade" kënduar nga Duncan Laurence. Deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre rreth 50 shtete, përfshirë edhe vendin tonë. Holanda organizon këtë garë për herë të pestë, për herë të fundit ka qenë në vitin 1980.

Gjysmëfinalja e parë      12 maj, 2020

Gjysmëfinalja e dytë      14 maj, 2020

Finalja   16 maj, 2020