Fabrika e asfaltobetonit në Rubik ndot mjedisin, banorët nuk flasin nga frika e përplasjes me pronarët

9 Dhjetor 2018, 14:51

Tymi, bloza dhe gazrat që hedh në atmosferë një fabrikë në rrethin Kurbin, shkakton probleme të shumta jo vetëm për banorët e fshatit ku ajo punon por edhe në fshatrat përreth.

Fabrika zakonisht punon natën për të mos rënë në sy e për këtë është mjaft e vështirë të filmosh e të pasqyrosh ndotjen që ajo shkakton. E megjithëse kjo fabrikë dihet nga të gjithë instancat e shtetit dhe nga vetë Ministria e Mjedisit, të gjithë bëjnë sikur nuk e dinë se egziston.

Kjo fabrikë ka vite që punon dhe ndaj saj nuk është marrë asnjë masë për ndotjen që shkakton. Fabrika vazhdon të punojë e qetë dhe për ndotjen e tmerrshme që shkakton nuk do t’ja dijë njeri. Banorët e fshatit nuk pranojnë të flasin para kameras për të evituar problemet me pronarët e fabrikës. Por jashtë kameras thonë se kjo fabrikë i ka shkatërruar jetën dhe shëndetin.

“Nuk dimë si është e mundur që Ministria e Mjedisit tregohet kaq indiferente,”-shprehen banorët.