Fabrika e këpucëve në Krujë vatra më e madhe e të prekurve me COVID-19! DETAJE çfare po ndodh

19 Prill 2020, 14:16 | Përditesimi i fundit: 2020-04-19 14:17:57

KRUJË - Një fasoneri, fabrikë këpucësh në Krujë është një vatër që po shkakton gjithnjë e më shumë të infektuar me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë, konfirmoi sot 7 raste të reja në qytetin e Krujës, tre prej të cilave Report Tv mëson se janë pikërisht nga fasoneria. Kështu, numri total i të infektuarve në fasoneri shkon në 7, ndërsa 3 të tjerë janë familjarë të punonjëseve të prekura. Në rrethin e Krujës, numri i të infektuarve është 18, prej të cilëve 10 vetëm nga fasoneria dhe kontakte të punonjëseve të fabrikës së këpucëve.

Tre rastet e reja gjatë 24 orëve të fundit që i përkasin punonjëseve të fasonerisë dhe kontakteve të tyre, janë një 35-vjeçare nga Bubqi, një 19-vjeçar, djali i një prej punonjëseve, dhe një 35-vjeçare tjetër nga Fushë-Kruja.

Report Tv mëson se fasoneria e cila ka 350 punonjës në Krujë, shumica pre të cilave gra, është mbyllur 4 ditë më parë, që kur u identifikuara punonjësja e parë me koronavirus. Ajo kishte qëndruar për dy javë në shtëpi pasi nuk ishte ndjerë mirë, ndërkohë që me kryerjen e testit së fundi, rezultoi pozitive. Dy nga rastet në total pozitive në fasoneri, janë dy gra që jetojnë në Kurbin, pasi shumë punonjës janë edhe nga kjo zonë dhe shkojnë nga Kurbini në Krujë me furgonë apo autobuzë.

Report Tv pyeti edhe zv.ministren e Shëndetësisë Mira Rakacolli gjatë një interviste me Skype për atë se çfarë ka ndodhur në fasonerinë e Krujës, dhe përgjigjja e marrë ishte se po bëhet një hetim i imtësishëm epidemiologjik, pa dhënë më tej detaje.