Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë fillimisht pwr pensionet e posaçme duke sqaruar se cilat janë kushtet që duhen plotësuar për t’i përfituar këto pensione dhe më pas është ndalur në detaje duke sqaruar procedurat. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.
Sot do të flasim për pensionet e posaçme. Çfarë janë pensionet e posaçme dhe cilat janë kushtet që duhen plotësuar për t’i përfituar këto pensione?
Sipas nenit 5 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pensione të posaçme kanë të drejtë të kërkojnë ata persona, të cilët kanë arritur rezultate të dallueshme, të dokumentuara, në punën e tyre. P.sh. dikush që ka marrë nga Presidenti i Republikës titullin “Mjeshtër i Madh” apo “Nderi i Kombit”; mund të jetë “Artist i Popullit” apo “Artist i Merituar”; mund të jetë i dalluar në fushën si gazetar, si shkrimtar, si mjek, si jurist etj. Në vendin tonë, nga viti 1994 kur u dha për herë të parë pensioni i posaçëm dhe deri sot, pensione të posaçme marrin rreth 470 persona, të cilët u përkasin 40 profesioneve të ndryshme.
