Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar Prof.dok. Fadil Kepi. Eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve ka folur këtë javë fillimisht mbi raportet mjekësore. Profesor Kepi ka sqaruar se sa të rëndësishme janë raportet mjekësore dhe se cili institucion i jep ato, duke nënvizuar edhe procedurat dhe afatet që kanë ato për t’u përdorur. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV.
Sot do të flasim për raportet mjekësore. Sa të rëndësishme janë raportet mjekësore? Cili institucion i jep raportet mjekësore?
Këto që ne do të shpjegojmë sot janë të përcaktuara në legjislacionin e sigurimeve shoqërore. Pra, bazë është ligji i sigurimeve shoqërore dhe një rregullore për lëshimin dhe administrimin e raporteve mjekësore, i firmosur nga dy titullarë: nga ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes Sociale dhe nga drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Raportet mjekësore nga 1 deri në 14 ditë kalendarike, për sëmundje të përgjithshme, lëshohen vetëm nga mjeku i familjes ku personi ka kartelën shëndetësore. Nga dita e 15-të deri në 6 muaj, raportet mjekësore lëshohen nga komisionet mjeko-ligjore (KML) në qendrat shëndetësore ku personi ka kartelën. 14 ditët e para të raporteve mjekësore paguhen me fondet e qendrës së punës, ndërsa nga dita e 15-të deri në 6 muaj paguhen me fondet e sigurimeve shoqërore. Raportet mjekësore paguhen me 70% të pagës neto mesatare të 6 muajve të fundit kur personi ka deri në 10 vite vjetërsi pune, pra ka nga 1-10 vite vjetërsi pune. Punonjësit, të cilët kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe kanë më shumë se 10 vite punë, për raportet mjekësore do të paguhen me 80% të pagës neto mesatare të 6 muajve të fundit dhe paguhen deri në 6 muaj.