TIRANE - Presidenti Ilir Meta vuri në alarm vendin për një tërmet apokaliptik që mund të godiste Ballkanin, referuar disa shkrimeve "fake" (të rreme) në disa portale dytësore greke dhe shqiptare. I dërgoi letër kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, që bazuar mbi këto informacione portalesh të tijat, të merrnin masa për atë se cfarë po ndodhte, të interesoheshin edhe me sizmologun grek që ai citonte në letër, dhe se Meta nga ana e tij ishte gati të mblidhte edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare nëse do të ishte nevoja.
Por teksa bazohet në portale që prodhojnë lajme të rrema pa kurrfarë verifikimi, Presidenti Meta ka në tryezë një ligj mjaft të rëndësishëm në parandalimin dhe marrjen e masave ndaj fatkeqësive natyre. Është ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila i ka kthyer përgjigje letrës së kreut të shtetit, duke vënë në vëmendje ligjin që qeveria i ka çuar në tryezë Presidentit, pas miratimit nga parlamenti, atë të Mbrojtjes Civile. Por teksa presidenca bëri një reagim duke thënë se ligji është dekretuar dhe i thoshte ministres të informohej mirë, ligji në fjalë për Mbrojtjen Civile, u dekretuar një orë e gjysmë pas letrës së ministres, duke u botuar edhe në faqen zyrtare të Presidencës. Vetëm se për kamuflim, ligji është botuar me datën e djeshme 30 korrik.