Falsifikoi dokumentet trashëgimisë së biznesmenit, dënohet mjekja e Spitalit Amerikan

8 Prill 2019, 15:09

Mjekia onkologe e Spitalit Amerikan, Esmeralda Sera, është dënuar nga gjykata e Tiranës me 80 orë punë të detyruar në shërbimin publik, pasi u shpall fajtore për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave shëndetësore” dhe “Shpërdorim detyre”.

Për të dyja akuzat mjekia Sera është dënuar fillimisht me 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, gjykata urdhëroi që këtë dënim me burg, mjekia duhet ta zëvendësojë duke kryer 80 orë punë në shërbim të publikut. Në shkurt të këtij viti “Shqiptarja.com” njoftoi se mjekia e spitalit Amerikan Esmeralda Sera për gati 5 muaj ka qënë nën lupën e prokurorisë së Tiranës, duke u verifikuar mbi procedurën e mjekimit të biznesmenit të njohur Donald Shena dhe mënyrën e marrjes së testamentit, veprim ky që është kryer në orët e fundit të jetës së tij. Për vdekjen e Donald Shena në spital dhe mënyrën e lëshimit të testamentit që u firmosë vetem me gjyrmë gishti, prokuroria e Tiranës në 2018 ka hapur një dosje penale me nr.4327 ku për llogari të hetimit, ka pyetur dy herë edhe pronarin e Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, i cili ka dhënë sqarime për këtë dosje.

Të njëjtën gjë, prokuroria ka bërë me mjeken onkologe Esmeralda Sera, e cila ka ndjekur mjekimin e biznesmenit të njohur Donald Shena, i cili për shkak të sëmundjes së rëndë, fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spital në 25 Maj 2018. Por objekti i hetimit të prokurorisë nuk ka qënë mjekimi i pakujdesshëm i pacientit Shena, por një testament pasuror që sipas prokurorisë mund të jetë marrë në mënyrë jo ligjore, duke u mbështetur nga dokumente të dyshuar si jo të vërteta të lëshuara nga mjekia e Spitalit Amerikan, Esmeralda Sera.