Familja e varfër e Alfred Karajt, ku festat nuk erdhën edhe këtë vit

1 Janar 2019, 15:07

Në familjen Karaj në Fushë-Krujë festat nuk erdhën. I braktisur nga bashkëshortja e në varfëri të tejskajshme Alfred Karaj duhet të kujdeset për 3 fëmijët e tij të mitur. Ata jetojnë në një dhomë të vetme dhe për ndërrimin e viteve në tryezën e tyre kishte vetëm pak bukë, pasi siç tregon edhe vetë Alfredi nuk ka asnjë mundësi ekonomike për t'u siguruar ushqim e jo më të përgatisë një tryezë festive. 

Fëmijët për Vitin e Ri veç bukë e gjizë, nuk kam rrugë tjetër. Nuk kam asnjë lloj ndihme. Të ardhurat e mia janë 55 mijë lekë sepse marr asistencë. 

Alfred Karaj, Kryefamiljar


Edhe vetë fëmijët ankohen për kushtet mjerane ku jetojnë. Në dhomën e tyre ka vetëm një krevat ku duhet të flenë të katërt dhe në këto ditë të ftohta dimri mundësia për t'u ngrohur është duke u bashkuar me njëri-tjetrin e të mbuluar nga vetëm një batanije e grisur. 

Unë jam vet i katërti dhe mbulohemi me një batanije. Dy gocat e vogla që janë të sëmura dhe që i çoj nëpër doktorë më thonë "babi vdiqëm nga i ftohti".

Alfred Karaj, Kryefamiljar


Vuajtja për Alfredin dhe tre fëmijët e mitur u shtua dy vite më parë, kur bashkëshortja e braktisi duke i lënë për të rritur i vetëm tre fëmijët. Ai thotë se me vendim gjykate fëmijët iu lanë në kujdestari, por prej asaj dite nëna e tyre nuk i ka parë më dhe nuk plotëson detyrimin financiar që i është ngarkuar me ligj. 

Nëna i ka braktisur, ka dy vjet. Kam ngelur rrugëve duke u përplasur nëpër dyert e gjykatave dhe zyrat e përparuesve pasi nuk merr asnjë lloj mase, asnjë lloj gjëje. 

Alfred Karaj, Kryefamiljar

Alfredi bën apel për ndihmë. Ai kërkon punë dhe çdo kush të bëj sadopak për fëmijët e mitur që shpesh herë detyrohen të flenë pa ngrënë gjithë ditën.