Familja e varfër në Poliçan, shtëpia e pabanueshme, bashkia nuk jep leje ndërtimi

20 Janar 2021, 22:02

Çatia rrezikon t'i zërë brenda.  Gramoz Minollari me dy fëmijët e mitur jetojnë në kushte të mjerueshme prej 6 vitesh.

Shtëpia e tyre pësoi dëme të rënda si pasojë e motit të keq dhe erozionit të tokës në vitin 2015.

Prej asaj kohe, Gramoz Minollari nga fshati Peshtan endet në dyert e bashkisë së Policanit dhe këshillit të qarkut Berat.

"Unë jam vetëm. Kam 8 vjet vetëm se bashkëshortja më ka humbur jetën. Me dy fëmijë në shkollë. Pa punë dhe këshilli vendosi që unë të rrija me qira. më ofruan 30% të vlerës dhe nuk më japin lejen e ndërtimit", tha Gramoz Minollari.

Gjeologët kanë krye vlerësimin dhe kanë shpallur shtëpinë të pabanueshme, por bashkia e Poliçanit, nuk lëvron fondet dhe as nuk jep lejen e ndërtimit për shtëpinë e re.

"Nuk më jepet leja e ndërtimit. Ku pengohet. Të më jepet fondi se unë nuk ndërtoj dot me hallet dhe kushtet që jam, u shpreh Minollari.

Përmes Report Tv, Gramoz Minollari apelon institucionet shtetërore, pasi ka provuar të gjitha mënyrat por pa rezultat.

"Na thonë që ne na pengon Ministria. Kam 5 muaj që i dërgoj letër Ramës tek Shqipëria që duam. Edhe dje i kam kërkuar zgjidhje Ramës se jam në mes të të ftohtit", përfundoi Gramoz Minollari.

Minollari rrit i vetëm dy djemtë e moshës 12 dhe 7-vjeç, ndërsa është pa punë.