‘Familja ime filloi të qante kur u thash se doja të ikja’, Messi sqaron të ardhmen: Do qëndroj edhe 1 vit te Barcelona

4 Shtator 2020, 19:29

Unë kurrë nuk do të ndërmerja hapa ligjore kundër klubit tim’. Me këtë deklaratë Lionel Messi ka sqaruar të ardhmen e tij, që prej ditësh kishte pushtuar çdo media ndërkombëtare sportive, pasi vetë futbollisti ka pranuar se dëshironte të largohej.

Fituesi i gjashtë herë ‘Topit të Artë’ ka thyer heshtjen këtë të premte në një intervistë për ‘Goal.com’, duke treguar edhe arsyen se përse kërkoi të largohej. Messi thotë se i ka thënë presidentit gjatë gjithë sezonit se aventura e tij në Katalonjë ka përfunduar, pasi klubi ka nevojë për lojtarë të rinj. Sipas yllit argjentinas ishte e vështirë të mbyllje karrierën në atë mënyrë, por u detyrua edhe nga ajo humbje shpërfytyruese 8-2 kundër Bayern-it në Champions League.

Messi ka folur edhe për gjendjen që kjo situatë shkaktoi në familje: “Kur i komunikova dëshirën time për t’u larguar gruas dhe fëmijëve të mi, ishte një dramë e madhe. E gjithë familja filloi të qante, fëmijët e mi nuk donin të largoheshin nga Barcelona, ​​as nuk donin të ndryshonin shkollën.”

Tani Messi do të qëndrojë te Barcelona të paktën edhe një sezon, pasi vitin tjetër i skadon kontrata. Në këtë mënyrë merr fund edhe ëndrra e Manchester City-t për ta patur në skuadër, pasi ishte klubi më i interesuar.