Familja me 4 anëtarë jetojnë në kasolle, apel për t'i ndihmuar, babai: Prej ditësh fëmijët hanë bukë thatë

29 Shkurt 2020, 18:53

Familja me 4 anëtarë në fshatin Derstill në Gjinar, pjesë e bashkisë së Elbasanit jeton në një kasolle mes varfërisë dhe të ftohtit.

Kryefamiljari Panajot Derstilla bën apel për ndihmë për të gjithë që t'i sigurojnë  një dhomë për dy fëmijët e tij ose një vend pune.

Report TV ka udhetuar drejt familjes Derstilla, aty ku katër anëtarët jetojnë me vetëm 47 mijë lekë të vjetra asistencë sociale.

Panajoti, bashëshortja e tij dhe dy fëmijët e vegjël jetojnë në një kasolle, të ndërtuar nga duart e tij, mes mjerimit dhe frikës se nga momenti në moment era e fortë do ta marrë me vete.

"Këtë (kasollen) e kam ndërtuar vetë, vetëm me dërrasa dhe llamarinë. Kam dy fëmijë të vegjël, vetë jam pa punë dhe gruan e kam pa punë", tha kryefamiljari.

Kasollja e vendosur në majë të një kodre, e bën dhe më të vështirë jetesën në këto ditë të ftohta dimri.

E vetmja mundësi për ngrohje është një sobë druri.

Panajoti tregon që ka ditë që fëmijët e tij hanë vetëm bukë thatë, sepse nuk ka mundësi t'u sigurojë diçka tjetër.