Familja me 9 anëtarë jeton në çadër pas tërmetit: Kërkojmë strehim, s'mund të jetojmë kështu

21 Dhjetor 2019, 20:56

FUSHË KRUJË- Familja me 9 anëtarë në fshatin Mazhe e Madhe të Fushë-Krujës jeton në një çadër pasi tërmeti i 26 nëntorit i dëmtoi shtëpinë. Ekspertët verifikuan banesën e tyre dhe e kanë shpallur të pabanueshme. Një nga djemtë e familjes është invalid dhe e ka të pamundur jetesën në kushtet e një çadre.

Kryefamiljari Bajram Masha thotë se jetesa në çadër është e vështirë pasi është shumë ftohtë dhe që nuk ka marrë bonus qiraje. Ai shprehet se nuk mund të largohet nga fshati pasi ka edhe gjenë e gjallë

“Situata që ndodhi na shkatërroi, por me vdekje s’kena asnjë njeri, por përjashtë jina në çadra, jena 9 vetë, t’i ndërtojnë të gjitha të vënë dorën në zemër. Djali ësht me tre goca të vogla. Ku t’i qis unë plaçkat, i kam mbuluar këtu. Bonus qiraje nuk na kanë dhanë, më thanë shko te banka, por unë s’kam ku të iki kam lopët. Ku të iki nga këtu, s’kam se ku se jam fshatar”, tha kryefamiljari Bajram Masha

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të mëdha në 7 fshatra të zonës së Bilajt të Fushë-Krujës. Më të prekurit janë fshatrat Mallkuç, Mazhe e Vogël, Mazhe e Madhe dhe Budull.