Familja Mihasi në Memaliaj në varfëri ekstreme, 6 anëtarët jetonjnë me pension invaliditeti!

9 Dhjetor 2020, 16:44

Këmbëzbathur, pa veshje e ushqim 4 fëmijët e familjes Mihasi mbajnë frymën me një pension invaliditeti. Marjanita dhe Panajoti duhet të ishin në shkollë, por i gjetën kokëulur rreth sobës së druve.

Panajoti, në klasë të nëntë dhe Marjanita në klasë të gjashtë deri para pak ditësh ndiqnin mësimin 5 km larg fshatit të tyre Luftinjë e Sipërme."Unë quhet Panajot Mihasi jam nxënës në klasës së 9-të, deri tani kam mësuar në shkollën e Izvorit, tani që ka kaluar mësimi online nuk kam hyrë asnjëherë online. Për të ndjekur mësimet online duhet të shkoj deri në qytetin e Memaliajt. Ne nuk kemi lek për rrugën dhe as për internetin, babai merr 100 mijë lek(të vjetra) në muaj".

Tashmë që mësimi zhvillohet online, motër e vëlla kanë humbur mundësinë për të nxënë.

"Shkolla ka kaluar online dhe ne s'kemi kushtet, s'kemi internet, s'kemi celular. Babanë e kemi sëmurë nuk punon....", shprehet 11-vjecarja.

"Ne nuk kemi mundësi t'ua plotësojmë kushtet fëmijëve", shton nëna e tyre Nazime Mihasi.

Kryefamiljari, Kastriot Mihasi është paraplegjik, ndërsa bashkëshortja e papunë. Pagesa e invaliditetit prej 10 mijë lekësh në muaj është e vetmja e ardhur për këtë familje në fshatin e thellë Luftinje e Sipërme në Bashkinë e Memaliaj.  Në këto kushte tabletat dhe celularët mbeten një ëndërr e largët për Panajotin dhe Marjanitën.