KASHAR- Familja Sula në Kashar, të cilës iu dëmtua banesa nga tërmeti kanë hyrë sot në shtëpinë e tyre të re. Kryeministri Edi Rama bashkë me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i dorëzuan çelësin e banesës së re zonjës së shtëpisë, e cila i falënderoi për përkujdesjen e vazhdueshme të institucioneve shtetërore.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama bëri të ditur se ndërtimet e reja do të jenë antisizmike dhe ekologjike. Ai deklaroi se pikërisht sot ka pasur një takim të rëndësishëm me një grup ekspertësh të huaj për fazën e rindërtimit të shtëpive të prekura nga tërmeti. “Sot që në mëngjes e kemi filluar ditën me një grup ekspertësh të huaj për rindërtimin, për të parë disa module të reja ndërtimesh. Kanë shkuar në Bashki, sepse po shohim këto teknologjitë reja që janë për ndërtime antisizmike dhe moderne, që ka disa terminologji fantastike dhe ishim sot atje, po diskutonim dhe japin mundësi për të ndërtuar më shpejt dhe në mënyrë më ekologjike, ndaj u vonova pak, por besoj se do bëjmë një punë shumë të mirë”, tha ai.
Kreu i qeverisë siguroi se të tilla kushte komode do të plotësohen për të gjitha familjet që humbën shtëpitë nga fatkeqësia e nëntorit të shkuar. “Jemi duke punuar çdo ditë me këtë punë. Tërmeti ka mbaruar, për pjesën më të madhe të njerëzve ka filluar jeta normale, kanë filluar prapë llafet e kazanit por për mua fillon një tërmet, mbaron tërmet dita, në kuptimin që ky është prioriteti kryesor. Çdo ditë kemi një takim në mëngjes për tërmetin, një në darkë. Pastaj, gjatë ditës janë të angazhuar të gjithë ata që punojnë dhe ideja është që të gjithë t’i kthejmë në shtëpi më të mira se ato që kishin, plus që kemi edhe këto zonat e mëdha që po ndërtojmë ne në Tiranë, Durrës, Laç e kudo, shkollat, spitalet, pra kemi goxha punë por do ia dalim”, theksoi Rama.Mes batutash Rama zbuloi dhe ndëshkimin që ka marrë në fëmijëri pas një vjershe për karamele zana. "Po karamelet zana kanë dalë prapë? Më kanë thyer një notë sjellje. Bëra një vjershë për karamele zana, por ishte vjershë e degjeneruar për kohën", tha Rama duke shkaktuar batuta në shtëpinë e familjes Sula.
Kreu i Bashkisë u shpreh se për ndërtimin e kësaj shtëpie janë përdorur standardet më të larta të ndërtimit, dhe siguroi se e njëjta cilësi do të ndiqet edhe për banesat e tjera.