Fasoneria, ndërtimi dhe Call Center/ Tatimet: 7200 biznese nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve

15 Nëntor 2019, 21:09

7200 punëdhënës nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se vijojnë kontrollet dhe fushatat e ndërgjegjësimit që punëdhënësit të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.

Sipas njoftimit të tatimet janë identifikuar se 13 mijë e 400 punëmarrësve nuk iu deklarohet paga reale pavarësisht se profesionet e tyre janë të mirëpaguara. Mosdeklarimi i pagës reale ndikon drejtpërsëdrejti edhe tek pensioni i tyre.

Që në fillim të operacionit anti-informalitet Drejtoria e Tatimeve njoftoi se në sitën e kontrolleve do të kalojë edhe fakti i deklarimit të numrit real të punonjësve që ka një subjekt si dhe paga reale e tyre.

Njëkohësisht tatimet ftojnë të gjithë punëmarrësit të denoncojnë çdo parregullsi dhe shkelje të pronarëve të tyre, pasi mosdeklarimi i pagave është një shkelje e rëndë dhe ndëshkohet.

Ndërkohë deri në muajin dhjetor kontrollet e tatimorëve do të jenë të përqendruar tek fasoneria, ndërtimi dhe call-center.