Fatmir Mediu takime me qytetarë në Kamëz e Paskuqan: Ka një rrugë për të larguar të keqen

14 Prill 2021, 11:13

Kandidati me numrin 7 i “Aleancës për Ndryshim”, Fatmir Mediu, zhvilloi sot takime me banorë dhe biznese në Kamëz dhe Paskuqan, të cilëve i bëri thirrje që të votojnë më 25 prill, duke e cilësuar si detyrë dhe detyrim të gjithsecilit.

Ai e konsideroi kryeministrin Edi Rama si "e keqja e këtij vendi" që duhet larguar përmes votës. Sipas Mediut, Rama përfaqëson përçarjen dhe përbuzjen që duhen zëvendësuar me respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.

Data 25 Prill ka një rëndësi kombëtare të dashur miq, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe përpara se të shkojmë të votojmë, do t`ju lutesha gjithsecilit nga ju, këto ditë që kanë mbetur, të kthehemi në mesazherë të shpresës. Urrejtjen, përçarjen, përbuzjen, sharjen e Edi Ramës, t`a zëvendësojmë me respektin për njëri-tjetrin, dashurinë për njëri-tjetrin, vlerësimin për dinjitetin tonë, komunikimin, dashurinë dhe respektin për fëmijët tanë, për familjet tona, për vendin tonë dhe me këtë dashuri ne do të thyejmë të keqen e këtij vendi, regjimin e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës, në datën 25 Prill.

Kam bindjen që ky bashkëudhëtim i Partisë Republikane me Partinë Demokratike për 30 vite, në të mirë dhe në të keqe, na ka shërbyer gjithsecilit nga ne që merremi me politikë.

Unë i jam mirënjohës çdo demokrati, çdo republikani, çdo qytetari që më ka mbështetur, sot, në pozicionin tim si kryetar partie, apo si ish ministër, apo deputet, atë nder nuk është se e kam realizuar unë për shkak të dijeve të mia të jashtëzakonshme, por për shkak të besimit që më ka dhënë gjithsecili nga ju, dhe kjo është vlera më e madhe në jetën time, raporti, besimi dhe miqësia me njerëzit e thjeshtë që kanë mbështetur demokracinë shqiptare, dhe unë i jam mirënjohës gjithsecilit.