Fatos Çoçoli për Report TV: Ligji mbi transparencën e partive politike nuk është zbatuar

20 Mars 2018, 13:16 | Përditesimi: 20 Mars 2018, 13:16

Përllogaritje jo zyrtare flasin për fonde të nivelit të 180-200 milionë eurove që kanë qarkulluar në duart e partive tona kryesore në fushatat zgjedhore që nga viti 2002 e këtej, në masën mbi 80 përqind të pakontrolluarea nga institucionet shtetërore përkatëse. Ligji për partitë politike është i vitit 2000. Ai përbën një dështim të plotë për t’i kontrolluar financiarisht këto grupime publike dhe një Vaterlo të mirëfilltë në luftën për moscënimin e interesit publik dhe qytetar nga aktiviteti financiar i fshehtë (okult) i partive, megjithë disa ndërhyrje-arnime të viteve 2011 dhe 2014. Ligji duhet të amendohet urgjentisht me dispozita ligjore shtesë të detyrueshme për aktivitetet e partive politike, që kanë të bëjnë me vetë-publikimin e pasqyrave financiare, me informacione të detyrueshme në lidhje me anëtarët e tyre, për të përcaktuar nivelin e kuotizacioneve që derdhin.