Fëmija shqiptar në Siri, i ati flet për Report Tv: Humba gjurmët 10 ditë pasi e takova, ja çfarë më premtoi Rama

18 Tetor 2019, 22:53

I ati i 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha që mbahet në kampet e ISIS në Siri ka humbur gjurmët e të birit 10 ditë pasi e takoi. Pas publikimit të lajmit në mediat italiane, Afrim Berisha i kontaktuar nga Report Tv u shpreh se prej gati 10 ditësh nuk po arrin që të lidhet me të birin dhe njerëzit që ka dërguar në kampin “Al Holit” nuk e kanë gjetur.

Afrim Berisha rrëfen edhe bisedën me kryeministrin Edi Rama, i cili i ka premtuar se do të angazhohet personalisht për të gjetur djalin. Edi Rama u shpreh sot se është e vështirë nxjerrja, por ka një plan me partnerët për t'i larguar nga ato kampe. Kreu i qeverisë theksoi se është përgatitur e gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe plan specifik masash për trajtimin e tyre më pas në Shqipëri.

Intervista e plotë në Report Tv
Ju jeni babai i djalit që është në një kamp në Siri?
Po, ishte në një kamp në Siri, tani nuk po mundem ta gjej më dhe nuk di gjë. Ka humbur ka 7-8 ditë a 10 ditë që nuk rezulton aty, kam paguar njerëz i kam çuar dhe akoma nuk kam përgjigje a është apo nuk është a e kanë marrë apo kush e ka marrë.

Po si mund ta gjeni a ka ndonjë mundësi? I keni kërkuar informacion autoriteteve shqiptare tu ndihmojnë ose tu japin ndihmë? 
I kam kërkuar, kam fol sot me Edi Ramën dhe më ka dhënë disa përgjigje të mira pastaj nga ora 4-5 ka qenë duke dhënë konferencë shtypi edhe ka folur direkt vetëm për mua.

Dhe çfarë ju tha kryeministri?
Ai më tha cdo gjë i kam hy personalisht asaj pune dhe do interesohem, por për momentin nuk ka shtet në botë që merret vesh me e gjet.

Po në çfarë zone ka humbur pak a shumë, ku mund të jetë djali?
Unë djalin e kam lënë në kampin “Al Holit”.

Por si është historia e 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha? Ai ka lindur në Itali, nëna e ka marrë 6-vjeç dhe iku në Siri për t'iu bashkuar ISIS, ndërsa tani është 11-vjeç. I ati e gjeti përmes Kryqit të Kuq, ndërsa shkruan në Siri me emisionin “Le Iene” pak ditë para fillimit të sulmeve ushtarake turke duke e takuar. Nëna e Alvin ka vdekur. Autoritetet kurde thonë se ajo mbeti e vrarë gjatë bombardimeve, për të shkatërruar bastionin e fundit të ISIS në këtë zonë.

Ajo ndodhej së bashku me bashkëshortin e ri, një xhihadist dhe tre fëmijët e saj. Gjatë bombardimeve ku humbi jetën nëna e tij djali është plagosur në këmbë. Djali ka lindur në Itali dhe e ka bërë klasën e parë atje, por kur takon të atin flet vetëm shqip "do ikim sonte, do ikim tek gjyshi". I ati e lë aty duke i thënë që sonte nuk mundet se duhet të plotësojë dokumentet. Por pak ditë më pas Afrim Berisha thotë se ka humbur kontaktet me të birin.