Fëmijët e të pushkatuarit nga Sigurimi fitojnë gjyqin! Hiqet emri 'Mehmet Shehu' nga një rrugë në Ballsh

11 Janar 2020, 13:14

Një gjyq i pazakontë është zhvilluar në Gjykatën Administrative në Vlorë, e cila ka vendosur të pranojë padinë e vëlla e motër, Osman dhe Mirvjen Kaceli, duke hequr emrin 'Mehmet Shehu' nga një rrugë në Ballsh. Ata janë fëmijët e Jonuz Kacelit, tregtarit nga Tirana, i cili ndërroi jetë në vitin 1951 nga torturat në hetuesi.

Vendimi për emërtimin e rrugës ishte marrë në 29 maj të vitit 2002 nga Këshilli Bashkiak i Mallakastër, dhe pas një beteje ligjore për dëmshpërblim moral dhe për heqjen e emrit të Mehmet Shehut, vëlla e motër ja kanë dalë të fitojnë. Me një vendim të 21 majit të vitit 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur të dëmshpërblejë me 300.000 lekë Osman dhe Mirvjen Kaceli, ndërsa pala e paditur ishte Këshilli dhe Bashkia e Mallakastrës.

Avokati Kujtim Cakrani, shpjegoi në një lidhje telefonike për Report Tv, se kërkesa ishte pranuar edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i cili kishte urdhëruar më 19.09.2018 këshillin bashkiak për të hequr emrin, por kjo kërkesë ishte shpërfillur nga Bashkia e Mallakastrës.

Bashkia nuk veproi për ta hequr emrin pas kësaj kërkese, në këto kushte, ne ju drejtuam gjykatës administrative me kërkesë padi, ku kërkuam, të detyrohej këshilli i bashkisë dhe bashkia, të heqin emrin e rrugës "Mehmet Shehu". Në fund të procesit gjyqësor  Gjykata e Vlorës pranoi kërkesë padinë, duke e detyruar bashkinë të heqë emrin e "Mmehmet Shehut" nga rrugët, dhe të hiqet edhe nga qytetar nderi, dhe të gjitha dekoratat lokale që ka marrë".

Mehmet Shehu ishte kryemnistër i Shqipërisë nga viti 1954 deri në vitin 1981.

Jonuz Kaceli lindi më 1908, në Tiranë. Gjatë luftës ndihmoi forcat partizane, por u zhgënjye shpejt. Më 1948, familjen e tij e dëbuan nga shtëpia. Emri i tij ishte në listat e njerëzve që do të pushkatoheshin nga Sigurimi. U arrestua më 20 shkurt 1951. Në hetuesi e torturuan. U vra në qeli, nga oficerët e Sigurimit, më 25 shkurt 1951. Më 2 mars 1951, familja e tij u dëbua në Skrapar.