Festa e peligrineve në Malin e Tomorrit, policia tregon rrugën e përshtatshme për t'u ngjitur në mal

18 Gusht 2020, 13:13 | Përditesimi i fundit: 2020-08-18 15:38:59

BERAT- Festa e peligrineve në Malin e Shenjtë të Kalmakut ka nisur ditën e sotme. Policia ka marrë masa për përballimin e fluksit të automjeteve, orientimin dhe marrjen e masave ndaj përdoruesve të rrugës për parandalimin e aksidenteve gjatë periudhës së pelegrinazhit për në “Malin e Tomorrit”.

Konkretisht do të vendosen patrulla policie në akset rrugore Urë e Kuçit-Berat-Poliçan- Pronovik-Novaj–Teqe, Poliçan -Çorovodë dhe Çorovodë-Gjerbës–Teqe e Kulmakut, pika të tjera që do të vendosen si dhe në territorin ku zhvillohet aktiviteti i pelegrinazhit.

Janë marrë të gjitha masat për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të Personaliteteve të Larta Shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve.

Gjithashtu Shefi i Sektorit këshillon të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke evituar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, gjithashtu për drejtuesit e autoveturave rruga më e përshtatshme për tu ngjitur në Malin e Tomorrit është aksi Poliçan-Çorovodë-Gjerbës-Teqe.