Pandemia ka barë që festat e fundvitit të jenë ndryshe nga të tera, pa grumbullime e aktivitete dhe rrugë të boshatisura. Vendosja e kufizimeve të reja për festat që hynë në fuqi ditën e sotme, ku ndalohet qarkullimi i lëvizje së njerëzve dhe mjeteve pas orës 20:30 deri në orë 06:00, do të sjellë një monitorim të ashpër edhe nga Policia e Shtetit, e cila ka shtuar forcat e saj në të gjithë vendin. Kjo jo vetëm për respektimin e masave anticovid, por edhe për shmangien e kriminalitetit, aksidenteve dhe ruajtjen e sigurisë dhe rendit gjatë festave. Në kuadër të festave të fundvitit, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, si dhe në zbatim të Urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID 19, strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë një sërë masash shtesë.
Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka tha se nisur nga situata e krijuar për shkak të COVID-19, duke filluar nga mbrëmja e ditës së sotme deri më datë 04.01.2021, orari i lëvizjes së këmbësorëve, automjeteve, si dhe mbajtja hapur e lokaleve që ofrojnë shërbime për qytetarët do të ndalohet nga ora 20:30 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë masa që pas orës 20:30 të mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit të çdo dite deri më datë 4 janar, të mos lejojnë asnjë qytetar apo automjet që të lëvizë, si dhe asnjë lokal të mos jetë i hapur. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm personeli shëndetësor, ai policor, ushtarak, gazetarët dhe ata që janë në punë turni i tretë në linjat e prodhimit të konsumit të përditshëm.
Policia e Shtetit e ka vlerësuar si të domosdoshme marrjen e disa masave shtesë, si dhe kalimin e të gjithë strukturave të Policisë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”.
Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka hartuar planet e masave në nivel qendror dhe atë vendor, në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet:
Rritja e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit;
