Festat e fundvitit rrisin çmimet e ushqimeve, qytetarët: Për pensionistët janë të papërballueshme

23 Dhjetor 2019, 15:11

Me ardhjen e festave të fundvitit, çmimet e produkteve të shportës kanë pësuar rritje. Nëpër dyqane dhe tregje kryesisht frutat dhe perimet janë shtrenjtuar mesatarisht me 20 lekë të reja për kilogram, duke dhënë ndikim të menjëhershëm në xhepin e konsumatorit. Kjo luhatje e çmimeve është më e ndjeshme tek pensionistët, të cilët veç të ardhurave minimale përballen në çdo fundviti edhe me çmime më të larta. 

“Unë e kapërcej por të tjerët jo. Shokët e mi nuk e përballojnë. 
Unë s’mora gjë fare, vetëm një kadaif mora. 
Po çmimet janë pothuaj normale se tregtarët do të fitojnë problemi është se në përgjithësi nuk ka lekë. Nuk është puna tek çmimet është puna se nuk kanë lekë njerëzit. Mirë do të ishte të kishte pak më shumë ekonomi më të lartë.
Mos kujto se janë lirë për ne pensionistët, të gjitha çmimet janë shtrenjtë”.

Sot në tregun e Pazarit të Ri 1 kg portokalle i blen me 130 lekë, ndryshe nga një javë më parë ku çmimi arrinte deri në 100 lekë, 30 për qind më shumë. 1 kg mollë në të njëjtin vend këtë të hënë i kushton qytetarit 150 lekë, nga 100 që ishte pak ditë më parë, pra në rritje 50%. 

Rritja e çmimeve është akoma me e ndjeshme tek produktet tradicionale të viti ri, siç janë arrat ku një kg i të cilave sot kushton 1 mijë lekë të reja, apo rasti i bajameve ku 1 kg arrin në 1.800 lekë. 

Shkak për rritjen e çmimeve përveç sezonit të festave është edhe importi i lartë i këtyre produkteve. Referuar raportit të INSTAT për tregtinë e jashtme në 11 muaj importet u rritën 2,1 % krahasuar me 2018, dhe grupi i  “Ushqime, pije, duhan” ndikoi mjaft në këtë rritje. Ndërkohë në raportin vjetor referuar Indeksit të çmimeve të konsumit, Instituti I Statistikave konstaton se në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” çmimet janë rritur me 3,7 %.