Festime të veçanta në pandemi dhe 'orë policore', besimtarët e Krishterë kremtojnë Pashkët, Frendo: Mos të lejojmë që COVID të kufizojë jetën tonë!

3 Prill 2021, 20:15

#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- Besimtarët e krishterë, kremtojnë sot Pashkët, momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit. Këto Pashkë, në ndryshim nga një vit më parë, rikthehen besimtarët në objektet e kultit, në meshën që nuk u mbajt në mesnatë siç e kërkon tradita. Për shkak të orës së policore e cila është deri në 20:00, mesha u mbajt në orën 17:00 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi për t'u kthyer në shtëpi. Mesha në katedralen e Shën Palit u mbajt nga Kryeipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo, e ndërsa të pranishëm ishte një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, të cilët ishin të pajisur me maska. Në mesazhin e tij të urimit, Arqipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo u shpreh se besimi jep shpresë e kurajë, për të përballuar çdo sfidë dhe situata të vështira, duke u ndalur edhe personat e infektuar me koronavirus. Imzot Frendo kërkon mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë, pasi jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit. Ndërkohë, Arqipeshkivi i Shkodrës, Angelo Masafra ka uruar nga qendra e rehabilitimit, ku po merr veten pasi fitoi betejën me COVID. Ai thotë se Pashkët nuk janë përfundimi i Kreshmëve. Masafra falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë betejës me COVID, ndërsa i kërkon besimtarëve të vazhdojnë lutjen për të dhe për të gjithë të sëmurët.