Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut mbyll siparin, dokumentari i fundit,"Gjyqi" i Askold Kurov

23 Shtator 2018, 13:48

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (IHRFFA), edicioni i 13-të, u mbyll mbrëmjen e djeshme me dokumentarin "The trial- The state of Rusia vs Oleg Sentsov", ku i pranishëm ishte edhe regjisori ukrainas Askold Kurov.

Dokumentari ka në qendër Oleg Sentsov, një regjisor dhe producent filmash në Ukrainë. Sentsov ishte një kundërshtar aktiv i pushtimit derisa në maj të vitit 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Oleg Sentsov u arrestua nga shërbimi i sigurisë ruse me akuzën për terrorizmin. Pavarësisht se dëshmitë ishin të pamjaftueshme apo edhe vet Sentsov nuk u deklarua fajtor asnjëherë, ai u dënua me 20 vjet burg. Filmi i Askold Kurov tregon për gjyqin e Oleg Sentsov dhe se si familja, miqtë dhe avokatët e tij përpiqen ta lirojnë regjisorin nga burgu.

Jam shumë i nderuar që gjendem këtu këtë mbrëmje. Unë nuk besoj se kinemaja dhe arti mund të ndryshojnë botën, unë besoj se mund të bëjnë që disa njerëz të ndryshojnë mendje ose opinionet e tyre. Unë besoj se dokumentari mund të ketë disa efekte në disa jetë, në disa fate dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë me fatin e Oleg. Shpresoj që ne të kemi aftësinë të diskutojmë rreth gjendjes dhe ndryshimeve të Oleg. Nuk mund të them që ta shijoni dokumentarin sepse mendoj se kjo nuk është diçka e lehtë, por ju uroj një mbrëmje interesante.

Regjisori Askold Kurov

I pranishëm në Akademinë Marubi për të ndjekur filmin ishte edhe vet kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij, i cili në përfundim të filmit u shpreh se

Do të doja t’ju falënderoja për këtë film kaq  tërheqës, që besoj se është i realizuar me të vërtetë mirë, duke transmetuar një histori të vërtetë që është më shumë se thjesht një film. Do doja të kërkoja falje për fjalimin tim të gjatë në shqip, por nuk thashë fjalë aq interesante sa për t’i përkthyer. Shpreha dëshirën time për të mbështetur Akademinë në sfidat e saj. Tanimë burokracitë kanë marrë fund dhe më vjen mirë që kam dhënë një kontribut të vogël në këtë. Ajo që Kujtimi po kujtonte është e vërtetë dhe shpresoj që në një festival ta shikoj në një histori filmi, sepse nuk është një vuajtje nën një regjim autoritar por është një vuajtje nën regjimin e idiotësisë, injorancës dhe mediokritetit, një autoritet që duhej të mposhtet me fuqi.

Edi Rama, kryeministër

Ju u shprehët në fjalinë e fundit rreth lirisë, dhe ju jeni pjesë e saj sepse ju erdhët në Shqipëri dhe ju jeni duke marrë pjesë në festivale të ndryshëm të filmit nëpër botë, dhe kjo është sipas meje  misioni juaj. Faleminderit që erdhët në vendin tim! I pranishëm këtë natë është edhe kryeministri dhe kjo nuk ndodh aksidentalisht, sepse lidhet edhe me ata që kanë vajtur aq shumë në historinë tonë, gjatë diktaturës. Faleminderit! Është e para herë që një kryeministër vjen në Akademinë Marubi pas një historie 15-vjeçare, në të cilat ishin prezente rrethimet, rrahjet e studentëve, pedagogëve dhe kjo është mirënjohja më e thellë që një shkollë e tillë, në një mjedis ku është gatuar kinematografia shqiptare dhe që ruhet si një vlerë jo thjesht vdekatarësh , por njerëzish që lënë gjurmë në jetën e tyre, në atë çka ato bëjnë.

Regjisor Kujtim Çashku

Aktualisht jeta e Oleg Sentsov është në gjendje të rënduar shëndetësore. Prej datës 20 maj ai dorëzohet për fatin edhe tij dhe ka hyrë në grevë urie, për të kërkuar lirimin e të burgosurve të tjerë politikë. Jeta e tij deri më sot ka zgjatur nga injeksionet, me glukozë edhe elementë të tjerë. Në këtë film të mbështetur në një histori të vërtetë, del qartazi se si dikush mund të bjerë viktimë e makinerisë së pamëshirshme shtetërore.

    No videos found.