Festivali i XI në Bunk'Art1/ Justina Aliaj: Sa herë shihja festivalet thoja ‘Ndoshta vitin tjetër do këndoj…’

12 Dhjetor 2019, 13:16

Një ditë e saj në Bruksel kurrë nuk është bosh. Si një artiste që i ka dedikuar jetën e saj artit, Justina Aliaj kalon një pjesë të madhe të kohës duke lexuar, shfletuar, dëgjuar muzikë të mirë.

Këto detaje ajo i tregon në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, në një bisedë shumë të sinqertë ku nuk mungojnë as rrëfimet për vështirësitë e para kur u largua nga vendi dhe jo për veten, por me qëllimin që fëmijët e saj të ndërtonin një jetë, ku ajo që do të bënin të mos i dënonte edhe ata.

U largova nga Shqipëria me dhimbjen e madhe përsa i përket karrierës sime, që nuk është e lehtë me u zhvendos diku tjetër dhe me thënë: Ju lutem merrni në konsideratë aftësinë time. Por me gëzim të madh që i shpëtova fëmijët, nuk m’u dënuan. Sidoqoftë, fillimi ishte i vështirë të besoje se ka ardhur liria. Thoja që fëmijët të kenë sadopak dicka nga unë. Por ka qenë gjëja më e bukur në botë kur djali ka studiuar, por askush nuk e ka pyetur: A e ke patur nënën e dënuar?.”, shprehet artistja.

Me zërin që i dridhet Justina thotë se shpresonte vazhdimisht që të rikthehej sërish në festival. Gjithë dëshirën e akumuluar prej vitesh për të prekur magjinë që i falnin duartrokitjet e publikut këngëtarja e përmbledh me një fjali: “Sa herë shihja festivalin thoja ‘Ndoshta vitin tjetër do të këndoj’…