Festo, por mos fluturo'! Policia kap në autostradën Tiranë-Elbasan pilotin me 174 km/h

25 Dhjetor 2019, 17:54

"Festo, por mos fluturo me automjet në rrugë, respekto rregullat e qarkullimit që të arrish i sigurt në destinacion, që të mos vrasësh jetën e t'u venitësh festën familjarëve". Ky është mesazhi i Policisë Rrugore, në zbatim të planit të masave për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan-Tiranë vijon monitorimi me radar dhe gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 16 leje drejtimi, për shpejtësi që varionte nga 151 km/h deri në 174 km/h.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat, të festojnë, por të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të festojnë, por të mos fluturojnë në rrugë, të respektojnë sinjalistikën rrugore për shpejtësinë e lejuar e të respektojnë të drejtën e këmbësorëve, duke respektuar vijat e bardha dhe në ato raste ku ato mungojnë t’u japin përparësi këmbësorëve për të kaluar.