Fidel Ylli zgjidhet presidenti i Komitetit olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH)

17 Prill 2021, 18:54

#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- Fidel Ylli është zgjedhur presidenti i ri i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Deputeti i Partisë Socialiste mori 40 vota, ndërsa kundërshtarët e tij kishin një diferencë të madhe. Presidenti në detyrë para asamblesë Vojo Malo mori 12 vota dhe kandidati tjetër Martin Biba katër vota. Të drejtë vote patën 57 anëtarë, por një votë doli e pavlefshme, ndërsa nga Komisioni i Verifikimit dhe Etikës u përjashtuan katër federata. Më kryesorja federata e futbollit,e bilardos, boksit dhe sporti shkollor. Në përfundim të zgjedhjeve presidenti i ri Fidel Ylli tha se gjatë mandatit të tij nuk do ketë më sportistë të cilët largohen për të përfaqësuar shtete të tjera, ndërsa lavdëroi gjithashtu edhe procesin zgjedhor. “E thashë në fjalën time që nuk doja të hyja në këtë garë, por e pashë që gjithë ai kontribut që unë jap në parlament të shkonte dëm. Iku koha që sekretarin e zgjidhte presidenti dhe pastaj kishte sherr mes tyre. Jam mirënjohës për të gjthë ata që më votuan dhe nuk më votuan. Të japim një mesazh që të gjitha Federtata të bëjnë këtë gjë në zgjedhje. Unë do kem prioritet sportin elitar për olimpizmin në botë. Do ngrejmë shpejt një grup pune që të dalim mirë për Olimpiadën e Tokios. Kemi shpresë që jo vetëm të hyjmë në zonën e medaljes, por Briken Calja me rezultatet në Moskë ka mundësi të sjellë në Shqipëri një medalje olimpike”, tha Fidel Ylli.