Fier, incident në laborator, 7 nxënës me 2 mësues dhe sanitaren në spital me urgjencë

28 Shkurt 2020, 17:45

FIER-10 nxënës, mësues dhe sanitarja e gjimnazit "Janaq Kilica" u dërguan mesditën e sotme në spital me urgjencë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10 gjatë orës së mësimit, në kabinetin e laboratorit ku 7 nxënës, 2 mësues dhe sanitarja kanë pasur të kollitura dhe vështirësi në frymëmarrje si pasojë e një ere të keqe, që nuk dihet nga se ka ardhur. Nga bluzat e bardha në Spitalin e Fierit, thuhet se fatmirësisht nxënësit nuk kanë probleme shëndetësore, por më shumë janë në gjendje frike dhe paniku të krijuar me dyshimet se mund të ishin helmuar.

"Nxënësit erdhën me një shqetësim psiko-emocional, gjendje ankthi, dridhje trupi, vështirësi në frymëmarrje, nuk duken shenja të intoksinimit. Deri më tani situatën e kemi nën kontroll, gjendja është jashtë rrezikut për jetën. Është vështirë për t'u përcaktuar por nuk dimë se cfarë ka ndodhur në shkollë", tha Lulzim Banushaj, toksikolog në një lidhje telefonike për Report Tv.