FIER - Një 5-vjeçare u aksidentua për vdekje në fshatin Kurjan të Roskovecit në 30 qershor të këtij viti. Kur kanë kaluar dy muaj nga ky aksident tragjik, familjarët e të miturës janë ngritur në protestë përpara Prokurorisë së Fierit. Ata pretendojnë se është manipuluar ekspertiza e aksidentit dhe për rrjedhojë drejtuesi i automjetit është liruar nga burgu. Gjyshja e 5-vjeçares, Lumturi Metohu me foto të të miturës në duar, bën thirrje për drejtësi, ndërsa dyshimet e familjarëve janë se aksidenti ka qenë i qëllimshëm. Ajo thotë se ka zgjedhur të protestojë ditën e parë të shkollës edhe për të bërë një apel që të mos përsëriten raste të tjera të dhimbshme në të ardhmen.
Nuk më ka ardhur shteti për asgjë. Kërkojmë prokurorin, e kemi takuar dhe kërkuar sqarime. Na e ka dhënë. Kërkuam ekspertizën rrugore se kemi dyshime. Më shkon mendja na e ka vrarë me qëllim derisa ka qenë me 20 shpejtësi. E nxjirrja vetë nga burgu, jo prokuroria se s'ka ardhur në vendngjarje. Ngjarjen e kam parë vetë. Kemi bërë edhe prova. Makina ishte me shpejtësi marramendëse. U bë zhurmë e madhe. Nuk kemi sqarimet që duam. Avokati i ka kërkuar informacione dhe i është dhënë jo e saktë. Duam riekspertim. E kemi kërkuar që në 24 korrik. Duam drejtësi. I jemi drejtuar kryeministrit Edi Rama, kryeprokurores Arta Marku, por nuk kemi marrë përgjigje. Vettingu jonë janë mediat. Sot është dita e parë e shkollës. Ndaj kam ardhur në shenjë proteste sot. Mos u lëndofshin fëmijët siç u lëndova unë.
Lumturi Metohu, gjyshja e 5-vjeçares